Siparunti - Peja
Peja qyteti i kampionëve! Kjo faqe shërben për informim dhe diskutim për tema dhe zhvillime publike në Pejë dhe Kosovë! Për Pejën dhe Kosovën!
11/07/2026
Kosova në pritje, partitë në përseritje!
Partitë LVV, PDK dhe LDK kanë hyrë në vitin e dytë duke bërë episode të ngjashme me serialet latino-amerikane, me takime koti, kinse po zhvillojnë bisedime për formimin e institucioneve.
Të ngjall neveri ajo pamje kur dalin nga takimet dhe gazetarët i pyesin, ndërsa ata, për atë moment, jetojnë për të aktruar, duke marrë poza dhe duke u përpjekur të thonë ndonjë fjali të bukur. Gazetarët, në vend që t'i bojkotojnë këto takime koti, vazhdojnë t'i mbushin lajmet me të njëjtët tituj, edhe pse aty nuk zhvillohet asgjë.
Më së miri ka dalë Aleanca e Ardian Gjinit, e cila publikisht ka mbajtur një qëndrim pa kërkuar poste apo pozita.
PDK nuk e ka fokusin te qeveria, por te posti i presidentit. Shkojnë në takime, por e dinë se Kurti nuk do t'ua japë.
LDK-ja si subjekt nuk po negocion. Këtë po e bëjnë Lumiri dhe Vjosa, me përkrahjen e kryesisë, duke shpresuar të sigurojnë ndonjë pozitë. Anëtarësia e LDK-së ende beson në atë që thoshte Abdixhiku para një viti: "Qytetarët na kanë caktuar rolin në opozitë dhe aty do të mbesim."
Nga ky qëndrim duket se anëtarësia nuk ka lëvizur, por Lumiri, i shtyrë edhe nga Vjosa dhe duke parë rrezikun e shkarkimit, po përpiqet që kjo dyshe të zërë ndonjë pozitë në vagonin e trenit të fundit.
Si po shkojnë ngjarjet, tërë verën do të kemi episode të njëjta me takime koti, sepse as Albini tani nuk është i sigurt nëse duhet të shkojë në zgjedhje të reja apo t'i ofrojë ndonjë pozitë LDK-së.
Nevoja për një subjekt të ri politik që modernizon skenën politike është e madhe.
Injoranca, padituria, gabimet strategjike dhe vendosja e interesave personale mbi interesin e Kosovës nga këto parti dhe individë, që e lanë Kosovën pa institucione, nuk duhet të lejohen më.
24/06/2026
Zhvillimet e djeshme në LDK po tregojnë shumë për gjendjen e vërtetë brenda partisë.
Kryetarët e degëve të Pejës dhe Lipjanit, së bashku me disa drejtues të tjerë lokalë, kërkuan dorëheqjen e Lumir Abdixhikut nga posti i kryetarit të LDK-së. Reagimi i Abdixhikut ishte i ashpër: ai u tha "qysh s'u ngopët" dhe kërkoi dorëheqjen e tyre nga drejtimi i degëve.
Por këtu lind një pyetje e thjeshtë: a ka harruar Abdixhiku se dega e LDK-së në Pejë, e udhëhequr nga Gazmend Muhaxheri, e mbështeti publikisht në votëbesimin e fundit? Madje, po të mos ishte mbështetja e degëve të tilla në dhjetorin e kaluar, pozita e tij si kryetar do të ishte vënë seriozisht në pikëpyetje.
Edhe më e çuditshme është kërkesa që kryetarët e degëve të japin dorëheqje, kur bëhet fjalë për njerëz që vetëm vitin e kaluar fituan zgjedhjet komunale në komunat e tyre. Ata u përballën me elektoratin, kërkuan votën dhe fituan.
Ndërkohë, Lumir Abdixhiku garoi dy herë në zgjedhje nacionale si bartës i listës dhe kryetar i LDK-së. Në zgjedhjet e fundit, madje në aleancë me Presidenten Vjosa Osmani në frymën politike që u promovua, jo vetëm që nuk arriti fitoren, por LDK mbeti sërish partia e tretë në vend.
Prandaj tingëllon paradoksale që përgjegjësia të kërkohet nga kryetarët lokalë që fituan, ndërsa jo nga lidershipi qendror që humbi.
Shumë qytetarë kishin pritur nga Abdixhiku një reformist që do të sillte standarde të reja politike në LDK. Por deklaratat e fundit lënë përshtypjen e një lideri që është më i interesuar ta ruajë pozitën e vet sesa të hapë debat për përgjegjësinë politike pas rezultateve zgjedhore.
Në fund të fundit, në politikë përgjegjësia nuk matet me atë se kush fiton brenda partisë, por me atë se kush fiton besimin e qytetarëve.
11/06/2026
“Në muajin maj 2026, Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur me 6.8% krahasuar me muajin maj 2025,” ka njoftuar Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Koment:
Nëse inflacioni është rritur me 6.8% ndërsa pagat e shumicës së qytetarëve kanë mbetur të njëjta, atëherë fuqia blerëse ka rënë për 6.8% dhe pë aqë jemi më të varfër.
Me të njëjtat të ardhura sot mund të blihet më pak se një vit më parë. Rritja e çmimeve pa rritje proporcionale të pagave nënkupton një barrë më të madhe për familjet dhe një standard jetese më të vështirë për qytetarët.
Click here to claim your Sponsored Listing.