Blogmedia
Blogmedia është platformë dixhitale që operon në shperndarjen e lajmeve dhe informacioneve të ndryshme, apo përmbajtjeve të tjera argëtuese.
13/03/2026
EDI RAMA FIRMOSI “VETËVRASJEN” E TIJ POLITIKE
Ka momente në jetën e një pushteti kur ai nuk rrëzohet nga opozita, as nga protestat, as nga zgjedhjet. Rrëzohet nga vetja, nga arroganca, nga paniku dhe nga frika e drejtësisë. Dita e djeshme në Parlament ishte pikërisht një nga ato momente. Një nga ato çaste kur pushteti zhvishet nga çdo maskë dhe tregon fytyrën e vërtetë të sistemit që ka ngritur për vite me radhë.
Votimi i klikës parlamentare për të bllokuar kërkesën e SPAK lidhur me heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut nuk ishte një akt parlamentar. Ishte një akt mbrojtjeje mafioze. Një legjitimim i "Omerta-s", i ngritur me vota për të ndaluar drejtësinë të hyjë aty ku dyshohet se ka korrupsion të nivelit më të lartë. Deputetët e shumicës nuk votuan si përfaqësues të qytetarëve, por si roje të një sistemi që mbron veten. Ndërsa mesazhi që ata i dhanë popullit ishte se kur drejtësia afrohet shumë pranë pushtetit, ata janë të gatshëm t'i mbyllin dyert me çdo kusht, edhe duke u "vetëflijuar".
Por ajo që ndodhi menjëherë më pas, e bëri situatën edhe më të rëndë për qeverinë. Ambasadat kryesore në Tiranë reaguan, duke kujtuar diçka që në fakt nuk duhet kujtuar, por që duhet të jetë parim: Lufta kundër korrupsionit është kusht themelor për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian!
Me fjalë të tjera, ajo që ndodhi në Parlament nuk është vetëm një problem i brendshëm politik. Është një sinjal alarmi për rrugën europiane të vendit.
Ashtu sikurse, akoma më domethënëse ishte fjalia e Komisioneres Europiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cila në platformën X shkroi shkurt dhe prerë:
“No Trojan Horses. We need to put the right safeguard in place.”
Një paralajmërim diplomatik, por i lexueshëm për këdo që di të lexojë mes rreshtave, se Europa nuk do kuaj Troje në procesin e integrimit. Nuk do mekanizma që mbrojnë korrupsionin duke përdorur institucionet. Dhe pikërisht në këtë moment presioni, Kryeministri Rama zgjodhi strategjinë më të rrezikshme politike që mund të zgjidhte (sulmin frontal ndaj drejtësisë).
Prej ditësh ai ka nisur një ofensivë të hapur kundër SPAK, duke deklaruar publikisht se Shqipëria është pa prokurori. Është një deklaratë e rëndë, sepse nuk është thjesht një kritikë ndaj një institucioni. Është një delegjitimim i gjithë sistemit të drejtësisë që vetë qeveria e tij e ka sh*tur për vite si “reforma historike”. Por në thelb është një mesazh i thjeshtë, se drejtësia është e mirë vetëm kur nuk prek pushtetin.
Megjithatë, sot kryeministri shkoi edhe më tej. Në një akt të paprecedentë për një vend që pretendon të jetë demokraci europiane, ai sulmoi dhe përjashtoi nga konferencat e tij për shtyp gazetaren Ambrozia Meta, vetëm sepse bëri pyetje që pushtetit nuk i pëlqen.
Ky nuk është debat siç pretendon Rama. Është ndëshkim i medias. Dhe nuk është rastësi që objektivi ishte një gazetare e Syri TV, televizionit që sot për sot mbetet i vetmi kanal opozitar që nuk është përkulur përballë presioneve të pushtetit. Një media që prej kohësh është nën sulm të vazhdueshëm, si me dhunë verbale nga qeveria, presione politike, kontrolle të institucioneve të drejtuara nga njerëz të pushtetit, por edhe me tentativa të vazhdueshme për ta frikësuar atë.
Në këtë rast, kur pushteti përjashton gazetarët që bëjnë pyetje, ai nuk lufton median, por lirinë e një vendi.
Dhe kur pushteti bllokon drejtësinë për të mbrojtur njerëzit e tij, ai nuk mbron një individ, por mbron një sistem.
Të gjitha këto zhvillime, si vota për të mbrojtur një ministre nga hetimi, paralajmërimet e partnerëve ndërkombëtarë, sulmet ndaj SPAK dhe goditja ndaj medias, nuk janë episode të veçuara. Janë pjesë e të njëjtës histori: të një pushteti që ndjen se toka po i rrëshqet nën këmbë dhe reagon me arrogancë, frikë dhe agresivitet.
Historia politike ka treguar diçka shumë të thjeshtë, që kur një qeveri fillon të luftojë drejtësinë dhe të mbyllë gojën e gazetarëve, ajo ka hyrë në fazën e fundit të pushtetit të saj. Sepse në atë moment nuk po qeveris më. Po mbijeton.
Dhe ndoshta, pa e kuptuar ende, me çdo sulm ndaj drejtësisë dhe çdo përjashtim ndaj medias, Edi Rama sapo ka hedhur firmën mbi aktin e fundit të karrierës së tij politike.
Një firmë që në histori do të lexohet thjesht kështu:
EDI RAMA,
VETËVRASJA IME POLITIKE
..
26/02/2026
BUNKERI ANTI-SPAK: NGA MBROJTJA POLITIKE, TE SABOTIMI I KUSHTETUTËS
Deklarata e sotme e Kryeministrit, në mbrojtje të Belinda Ballukut, se “Gjyqësori po ndërhyn te pushtetet e tjera”, është një tezë që prek drejtpërdrejtë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, në të cilën është i qartë parimi themelor "për ndarjen dhe balancimin e pushteteve", ku sipas të cilës Ekzekutivi qeveris, Legjislativi ligjëron, ndërsa Gjyqësori kontrollon ligjshmërinë dhe garanton që askush, përfshirë ministrat, të mos jetë mbi ligjin.
Mirëpo, në momentin që hetimi apo masa proceduriale ndaj një ministri konsiderohet “ndërhyrje në pushtet”, kemi të bëjmë me një tentativë për përmbysje parimesh, dhe duhet ngulmuar se kontrolli gjyqësor mbi zyrtarët publikë nuk është cënim i pushtetit ekzekutiv, por mekanizëm kushtetues i balancës. Sepse nëse një ministër nuk mund të hetohet pa u interpretuar si sulm ndaj qeverisë, atëherë koncepti i përgjegjësisë individuale zëvendësohet me imunitet politik të heshtur, dhe ndryshe mund të shkohet drejt një rrëshqitjeje të rrezikshme në dyert e një diktature moderne.
Nga ana tjetër, sigurisht që po... Kryeministri ka të drejtë të mbrojë politikisht kabinetin e tij. Por kur mbrojtja kalon në delegjitimimin e rolit të Gjyqësorit, diskursi hyn në territorin kushtetues, sepse mesazhi që prodhohet është i mëse i qartë: Pushteti ekzekutiv nuk pranon më kontroll nga pushteti gjyqësor.
Sot Kryeministri ka harruar ose dëshiron të harrojë se kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit dhe arrestimin e Belinda Ballukut nuk është çështje simpatie ndaj një ministri, por është çështje standardi institucional, pasi në një republikë parlamentare, ministrat janë funksionarë publikë, jo struktura të paprekshme. Dhe nëse sot hetimi shihet si “ndërhyrje”, nesër çdo kontroll do të etikohet si “sulm politik”. Dhe kështu, balanca e pushteteve zëvendësohet nga mbrojtja e pushtetit.
Për njohësit e ligjit, por mbi të gjitha për ata që nuk i njohin ligjet por marrin në mbrojtje "Princeshën mbi bizele", Kushtetuta nuk parashikon pushtete të ndara për t’u mbrojtur nga njëri-tjetri. Kushtetuta i parashikon për t’u kontrolluar nga njëri-tjetri.
Nëse ky parim relativizohet, atëherë problemi nuk është më një ministre, por vetë rendi kushtetues.
16/02/2026
TË GJITHË JANË TË BARABARTË PËRPARA LIGJIT, POR DISA JANË MBI NENIN 242!
Në “Ferma e Kafshëve” të George Orwell-it, revolucioni nisi me parullën e barazisë, që nënkuptonte se të gjitha kafshët ishin të barabarta, derisa një ditë, në mur u shtua një fjali e vogël: “por disa janë më të barabarta se të tjerat”.
Në Shqipëri, ky revolucion i ri quhet "Ndryshim i Nenit 242 i Kodit të Procedurës Penale", ku sipas propozimit të Kryeministrit Rama, pezullimi i një ministri në fazë paraprake qenka i pajustifikueshëm, sepse dëmton funksionin institucional. Pra, hetimi penal nuk prek më vetëm individin, por shtetin. Dhe për të mbrojtur shtetin, duhet mbrojtur ministri, ose "de juro" vetë qeveria. Kështu që është më mirë të mos preket askush.
Për ata që nuk e kanë lexuar “Fermën e Kafshëve”, novela demaskon mekanizmat e korrupsionit dhe degradimit të pushtetit në sistemet totalitare, duke përdorur strukturën e një përralle me kafshë për të dhënë një mesazh të thellë politik.
Ngjarja zhvillohet në një fermë ku kafshët rrëzojnë zotërinë e tyre me premtimin për barazi dhe drejtësi, por administrimi i ri, i udhëhequr nga derrat, nis të devijojë gradualisht nga idealet fillestare. Fillimisht privilegjet justifikohen në emër të “të mirës së përbashkët”, derisa ato kthehen në përvetësim të hapur, që nga qumështi e deri te zhvendosja në shtëpinë e ish-zotërisë së tyre.
Në fund, transformimi është aq i plotë sa derrat adoptojnë sjelljet dhe veset e njerëzve që dikur i përmbysën, duke e bërë të pamundur dallimin mes shtypësve të vjetër dhe pushtetarëve të rinj.
Në Shqipëri, ndryshimi i Nenit 242 në Kodin e Procedurës Penale, po bën të njëjtën gjë me drejtësinë, ku aktualisht pika 2 e këtij neni përjashton nga pezullimi “personat e zgjedhur sipas ligjit elektoral”, ndërsa propozimi i ri e zgjeron listën duke përfshirë Presidentin, Avokatin e Popullit, Kryeministrin, Zëvendëskryeministrin, ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe kryetarin e KLSH-së. Pra, lista e "të paprekshmëve" po zgjerohet, duke e kufizuar drejtësinë edhe më shumë.
Në thelb, mesazhi i kryeministrit Rama është i qartë. Disa poste janë aq të rëndësishme saqë nuk mund të preken as nga masa paraprake e pezullimit. Jo sepse janë të pafajshëm, por sepse janë të pushtetshëm.
Në romanin e Orwell-it, ligjet ndryshoheshin natën, sikurse parimet përditësoheshin sipas interesit të derrave. Por edhe këtu, 'në nahijen tonë', do të shprehej i ndjeri profesori im Agron Bala, kemi të njëjtën frymë: një formulë elegante për të mbyllur boshllëqet e interpretimit kushtetues, që në praktikë do të thotë mbyllje e hapësirës së ndërhyrjes së drejtësisë ndaj pushtetit.
Argumenti se pezullimi i një ministri “bllokon institucionin” është një sofizëm politik, sepse institucioni nuk është personi, ashtu si ministria nuk është ministri, dhe shteti nuk është kryeministri. Në parim nëse një individ është nën hetim serioz, funksioni duhet të mbrohet pikërisht duke e ndarë nga individi, jo duke e mbrojtur atë prej hetimit. Por kjo kërkon një parim tjetër që "Ferma e Kafshëve" e humbi herët", që është barazia përpara rregullit.
Ndryshimi i nenit 242, kryesisht pika 2 e tij, nuk është teknik. Përkundrazi, ai krijon një kastë të re kushtetuese, një shtresë që nuk mund të preket në fazën më delikate të hetimit. Dhe pikërisht aty ku drejtësia duhet të jetë më e fortë në raport me pushtetin, ajo dobësohet me ligj.
Pse duhet të ulëritet nga qytetarët dhe shoqëria civile?! Sepse rreziku është që nesër të mos dallojmë më kush është shteti dhe kush është pushteti. Njësoj si tek "Ferma e Kafshëve" kur në fund të romanit kafshët shohin nga dritarja dhe nuk arrijnë më të dallojnë kush është derr e kush është njeri. Sepse kur ligji ndryshohet për të mbrojtur funksionin nga hetimi, në të vërtetë po mbrohet funksionari nga përgjegjësia. Po mbrohet Rama dhe pasardhësit e tij.
Dhe në atë moment, fjalia mbi mur bëhet e qartë: "Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit. Por disa janë mbi nenin 242."
01/02/2026
Blogmedia / RIMBURSIM NË ERRËSIRË
Ministria e Shëndetësisë vendosi ta trajtojë fondin publik të rimbursimit si një tabelë eksperimentale Excel-i, ku shifrat rriten, shumëzohen dhe shpërthejnë pa shpjegim. Në një ditë administrative jo normale, u shpallën ndryshime drastike të çmimeve të rimbursimit të barnave, pa konsultim, pa transparencë dhe pa asnjë metodologji të publikuar.
Rritjet variojnë nga 3% deri në 4000%. Po, katër mijë për qind. Nuk është gabim tipografik. Është një skemë çmimesh që nuk përputhet me asnjë logjikë tregu, me asnjë standard farmako-ekonomik dhe me asnjë praktikë europiane.
Ndër të tjera, nuk ka asnjë konsultim me kompanitë farmaceutike. Asnjë dëgjesë. Asnjë relacion shpjegues. Asnjë dokument që të tregojë se si janë përllogaritur këto shifra. Vetëm një vendim i rënë nga qielli, i publikuar në fundjavë, sikur të ishte një njoftim moti dhe jo një akt që prek drejtpërdrejt buxhetin publik dhe shëndetin e qytetarëve.
Diferencat ekstreme mes barnave me të njëjtin parim aktiv, por nga kompani të ndryshme, ngrenë dyshime serioze për përllogaritje preferenciale. Pse një barnë rritet minimalisht dhe një tjetër shpërthen në mënyrë absurde? Çfarë formule u përdor? Kush e vendosi? Dhe për kë punon kjo formulë?
Kur shifrat nuk shpjegohen, ato flasin vetë. Dhe këtu flasin për një rrezik të qartë: fondi i rimbursimit po shndërrohet në një mekanizëm transferimi të parave publike drejt subjekteve të caktuara, pa garë, pa transparencë dhe pa kontroll.
Nuk është thjesht kaos administrativ. Është potencialisht një skandal financiar. Sepse çdo rritje e pajustifikuar paguhet nga buxheti i shtetit. Nga taksat. Nga pacientët. Nga sistemi që tashmë mezi merr frymë.
Ministria e Shëndetësisë ka detyrimin të dalë publikisht dhe të sqarojë menjëherë metodologjinë e përllogaritjes, arsyet e rritjeve ekstreme dhe kriteret e përzgjedhjes. Heshtja, në këtë rast, nuk është neutralitet. Është bashkëfajësi.
Nëse këto vendime janë marrë pa bazë teknike, kemi shkelje administrative të rënda. Nëse janë marrë me qëllim favorizimi, kemi arsye të kërkojmë hetim. Dhe nëse janë marrë pa e kuptuar pasojën, atëherë kemi një problem akoma më të madh, siç është papërgjegjësia institucionale në kurriz të shëndetit publik.
Barnat nuk janë mall luksi dhe rimbursimi nuk është bonus.
Click here to claim your Sponsored Listing.
Category
Website
Address
Lagja "Kongresi I Elbasanit", Bulevardi Aqif Pasha, Pallati 45
Elbasan
3001