Behgjet Pacolli
Faqja ime zyrtare
Deklaratë zyrtare e Ekipit Ligjor të shoqërisë Mabco Constructions S.A.
Tiranë, 19 maj 2026
Sot, për herë të dytë, në kantierin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës po përsëritet e njëjta situatë e papranueshme, plotësisht e paligjshme me VETËGJYQËSI të Valon Ademit.
Rreth 200 punonjës, inxhinierë dhe specialistë të shoqërisë Mabco Constructions S.A., ortakut mazhoritar me 98% të kuotave të shoqërisë koncesionare “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k. dhe investitorit kryesor që ka financuar dhe ndërtuar projektin me mbi 90 milionë euro investime direkte, po pengohen fizikisht të hyjnë në kantierin që ata vetë e kanë ngritur.
Nuk ekziston asnjë vendim gjyqësor që ndalon hyrjen e Mabco-s ose nënkontraktorëve të saj në aeroportin që ajo ka ndërtuar me investimet e veta. Vendimi gjyqësor i pretenduar dje nga Valon Ademi dhe i shperndare ne media është ai që pezullon përkohësisht të drejtën e votës së Mabco-s në shoqëri, vendim që aktualisht ndodhet në shqyrtim në Gjykatën e Lartë.
ASNJË vendim gjyqësor nuk ka ndaluar hyrjen fizike të Mabco-s në kantier.
Ky ndalim i njëanshëm dhe arbitrar është vetëgjyqësi e pastër kriminale nga ana e z. Valon Ademi dhe ortakut minoritar 2%, e kryer nëpërmjet administratorit të kontestuar Vegim Hoxha dhe Bujar Ejupi.
Mabco Constructions S.A. nuk ka qenë dhe nuk është në asnjë rast nënkontraktor i shoqërisë VIA, siç tregohet qartë dhe pa asnjë dyshim në nenin 10.7 pika (iv) të Kontratës së Koncesionit. Mabco është ortaku mazhoritar, investitori kryesor, financuesi real dhe subjekti që përmbush kriteret teknike, financiare dhe operacionale mbi të cilat është dhënë vetë koncesioni.
Është detyrë ligjore e autoriteteve qeveritare dhe e Autoritetit Kontraktues (Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë) të lejojnë dhe të garantojnë aksesin e lirë në hyrje dhe dalje të kantierit, sipas nenit 7.1 pika (b) dhe (c) të Kontratës së Koncesionit.
Mosveprimi i autoriteteve shtetërore ndaj këtij vendimi arbitrar të një ortaku me vetëm 2% të kuotave përbën qartazi mosplotësim të detyrimeve kontraktore nga ana e shtetit shqiptar.
Ekipi ynë ligjor ka njoftuar sërish dje Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit për këtë situatë të rëndë dhe për dështimin e Policisë së Vlorës që, edhe sot, nuk po garanton rendin publik, sigurinë dhe mbrojtjen e pronës së investuar nga Mabco.
Referuar nenit 1.1 të Kontratës së Koncesionit, Autoritet Kompetent nënkupton "çdo autoritet, ministri, agjenci, inspektorat, departament, gjykatë, gjykatë arbitrazhi, agjenci administrative ose komision, ose ndonjë organ tjeter qeveritar, bashkie, administrativ ose ent rregullator, (në secilin rast deri në masën ku secila nga të mësipërmet ka juridiksion mbi secilën ose të gjitha Palët, këtë Kontratë dhe/ose çështje të kësaj Kontrate)." Në këtë definicion është edhe Policia e Shtetit dhe referuar nenit 13.1, veprimet dhe mosveprimet e Policisë së Shtetit, duke mos garantuar madje duke penguar aksesin e shoqërisë Mabco në pronën e saj, përbën Veprim Material të Pafavorshëm Qeveritar në dëm të një investitori të huaj.
Ne presim nga autoritetet kompetente që të ndërhyjnë menjëherë për:
- të ndalojnë këtë vetëgjyqësi kriminale;
- të garantojnë aksesin e plotë dhe të papenguar të punonjësve, inxhinierëve dhe nënkontraktorëve tanë në kantier;
- të mbajnë të paprekur terminalin dhe veprën e ndërtuar nga Mabco.
Mabco Constructions S.A. kërkon të besojë në sundimin e ligjit dhe në mbrojtjen e investimeve të huaja dhe jo në VETËGJYQËSI kriminale të Valon Ademit. Do të vazhdojmë të ushtrojmë të gjitha të drejtat tona ligjore, civile dhe penale, ndaj çdo personi ose subjekti që cenon investimin tonë dhe interesin kombëtar të projektit.
Ekipi Ligjor i Mabco Constructions S.A.
29/04/2026
Sikur në qendrat më armiqësore ndaj Republikës së Kosovës të hartohej një strategji për ta dëmtuar vendin, vështirë se do të dilte diçka më e dëmshme sesa ajo që po prodhon sot vetë politika vendore.
Në disa raste, duket sikur Kosovës nuk i duhen më armiq të jashtëm — mjaftojnë gabimet dhe qasja e politikanëve të saj.
Këtë mendim ma shprehu një mendimtar i pjekur nga Kosova, dhe besoj se në thelb qëndron i vërtetë!
28/04/2026
Moszgjedhja e Presidentit në Kuvendin e Kosoves, brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, përbën një situatë serioze institucionale që e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja parlamentare. Kushtetuta e parasheh qartë se nëse brenda afatit të caktuar nuk arrihet zgjedhja e Presidentit, Kuvendi shpërndahet dhe vendi detyrohet të rikthehet te sovrani përmes procesit zgjedhor.
Kjo situatë është pasojë direkte e mungesës së konsensusit politik ndërmjet partive parlamentare, të cilat nuk kanë arritur të sigurojnë votat e nevojshme për zgjedhjen e kreut të shtetit. Përtej dallimeve politike, ky dështim reflekton një krizë më të thellë të bashkëpunimit institucional dhe një mungesë përgjegjësie ndaj rendit kushtetues.
Kalimi i afatit kushtetues pa një rezultat konkret jo vetëm që bllokon një nga funksionet më të rëndësishme të shtetit, por gjithashtu aktivizon mekanizmat kushtetues që çojnë në shpërndarjen automatike të Kuvendit. Si rrjedhojë, vendi hyn në një fazë të re zgjedhore, duke i kërkuar qytetarëve të japin sërish verdiktin e tyre për përfaqësimin politik.
Zgjedhjet e reja në këtë kontekst nuk janë vetëm një procedurë formale, por një mundësi për të rikonfiguruar skenën politike dhe për të krijuar kushte për një stabilitet më të madh institucional. Megjithatë, ato gjithashtu sjellin kosto politike, ekonomike dhe kohore për vendin.
Në fund, moszgjedhja e Presidentit brenda afatit kushtetues duhet të shërbejë si reflektim për klasën politike mbi domosdoshmërinë e dialogut, kompromisit dhe vendimmarrjes në funksion të interesit shtetëror, në mënyrë që të shmangen kriza të tilla në të ardhmen.
24/04/2026
I nderuar President,
i dashuri Hashim,
Me rastin e ditëlindjes tende , dua te shpreh nga zemra urimet më të sinqerta për shëndet, forcë, dinjitet dhe mbarësi në jetë.
Në këtë ditë të veçantë, të uroj paqe në shpirt, qëndrueshmëri përballë çdo sfide dhe shumë vite të tjera me nder, respekt dhe bekime pranë familjes dhe njerëzve tuaj më të dashur.
Me gjithë zemër lutem që Zoti dhe drejtësia të veprojnë sa më shpejt, që ditëlindjet e ardhshme t’i festoni i lirë, në Kosovë, pranë atyre që ju duan dhe ju presin me mall.
Qoftë kjo ditë një kujtesë se respekti, dashuria dhe mbështetja e shumë njerëzve janë me ty dhe shoket tu , gjithmonë.
Gëzuar ditëlindjen President!
Me respekt dhe konsideratë të veçantë Bp
Klicken Sie hier, um Ihren Gesponserten Eintrag zu erhalten.
Kategorie
die öffentliche Figur kontaktieren
Webseite
Adresse
Lugano